U mbyll këtë javë në Romë muaji i kulturës shqiptare. “Vendi përballë – Shqiptarët e Italisë festojnë 100 vjetorin e pavarësisë” ishte evenimenti kulturor që u zhvillua në Muzeun e Qytetërimit Romak, në kryeqytetin italian. Mbrëmja e së shtunës ju dedikua takimit “Shqipëria turistike na pret”, ku merrnin pjesë operatorë turistikë shqiptarë dhe italianë. I pranishëm në këtë aktivitet përmbyllës ishte dhe Ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi organizatorët e këtij muaji kulture, që kuruan një eveniment të këtyre përmasave. Nga data 4 shkurt deri në 3 mars, ambasada shqiptare në Romë në bashkëpunim me gazetën “Bota Shqiptare” dhe Bashkinë e kryeqytetit italian bënë të mundur realizimin e këtij evenimenti kulturor që i paraprin aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Për një muaj, në ambientet e Muzeut të Qytetërimit Romak qëndruan të ekspozuara më shumë se 20 punime të artistëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendin fqinjë.
Ekspozita me punimet e Alfred Mirashi (Milot), Agim Sulaj, Arta Ngucaj, Arben Beqiraj, Frederik Ivanaj, Armand Xhomo, Orenada Dhimitri etj., fotot e Alket Islamit dhe studentëve të shoqatës USAB, dëshmi e Shqipërisë turistike e resurseve të mëdha që vendi ynë rezervon për turistët si dhe dokumentat nga Arkivi i Shtetit, që pasqyrojnë etapa dhe figura të rëndësishme të historisë së kombit tonë në këto 100 vjet pavarësi, kanë ngjallur tek vizitorët kureshtje dhe admirim. Krahas emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali, të gjitha pavijonet shqiptare janë vizituar nga një numër i konsideruar shtetasish italianë dhe turistë të huaj, që admiruan me këtë rast krahas antikitetit romak, pjesë nga historia shqiptare e këtyre 100 viteve të fundit. Përveç ekspozitave të pikturës dhe fotografisë organizatorët e muajit të kulturës shqiptare në Itali i kishin rezervuar një vend të veçantë prezantimit të librave dhe dokumentarëve që në qendër kishin Shqipërinë dhe shqiptarët. Pikërisht kësaj i shërbeu prezantimi i librit “Ritorno al paese delle aquile” (“Rikthim në vendin e Shqiponjave”) i autorit italian Aldo Renato Terrusi.
Një rrugëtim në kërkim të origjinës dhe historisë së familjes është tematika që karakterizon librin e Terrusi-t, i cili ishte fëmi i vogël kur regjimi i Enver Hoxhës dënoi dhe burgosi në Burrel babain e tij. Vdekja në burg e të atit pa mundur të ndahej me gruan dhe djalin dhe eshtrat e tij të varrosura në Shqipëri, ishin pengu më i madh i Aldos. Për këtë arsye Aldoja, i lindur në Vlorë në 1945 nga dy prindër italianë, kthehet së bashku me xhaxhanë e tij pas 44 vjetësh në Shqipëri. Përmes kujtimeve të dhimbshme të një familjeve italiane vijnë në kujtesën e lexuesit vitet më të egra që populli shqiptar ka vuajtur nën regjimin komunist, shenja, që ende sot vazhdojnë të trazojnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit të shqiponjave. Për të treguar rrugëtimin e një populli gjatë 100 viteve të pavarësisë së tij shërbeu dokumentari i regjizorit Roland Sejko, "Shqipëria vendi përballë", ku përmes imazheve të arkivave më të mëdhenj kinematografikë të institutit italian “Luce”, ishin rindërtuar disa nga fazat më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar historia e Shqipërisë, që nga rënia e perandorisë otomane deri në Luftën e Parë Botërore, nga Mbreti Zog deri në pushtimin italian të Shqipërisë, nga diktatura e Enver Hoxhës deri në rënien e komunizmit.
Po krahas pasqyrimit të rrugëtimit të Shqipërisë nëpër etapa të ndryshme historike, një vend i veçantë gjatë këtij muaji kulture ju rezervua arbëreshëve. Për vetë rëndësinë që ka dhe kontributin e dhënë nga komuniteti arbëresh për historinë dhe zhvillimin e Italisë u organizua në mes të muajit shkurt një konferencë shkencore ku referuan historianë italianë e shqiptarë mbi rolin e arbëreshëve në 150 vjetorin e Bashkimit të Italisë dhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Veprimtari të ngjashme kulturore pritet të zhvillojnë gjatë muajve në vazhdim edhe ambasadat e tjera shqiptare në vende të ndryshme të botës. Aktivitetet si brenda ashtu dhe jashtë vendit do të kulmojnë në muajin nëntor, muajin e pavarësisë së vendit nga Perandoria otomane.