Një nga komeditë më të famshme amerikane të 50 viteve të fundit “Çifti i çuditshëm”, me autor Neil Simon dhe me regji të Inis Gjonit, do të ngjitet në skenën e teatrit të Durrësit për t’u shijuar nga të gjithë artdashësit durrsakë.
Nën interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Mehmet Xhelili, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Rozana Radi, Annais Lika, vepra na sjell një tablo humoristike, karaktere të zakonshme në plan të parë, të cilët janë jashtëzakonisht të papajtueshëm mes tyre.
Pas suksesit që pati në Teatrin Kombëtar të Tiranës, “Çifti i çuditshëm” do të vijë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës për tri net rresht, në datat 17, 18 dhe 19 nëntor 2017.
Interesi për të parë shfaqjen ka qenë tejet i madh, e shumë prej personaliteteve që e kanë ndjekur live kanë lënë impresionet e tyre më të mira. Një ndër to, shkrimtarja dhe përkthyesja shqiptare Mira Meksi, tregon kënaqësinë dhe emocionet e përjetuara në teatrin kombëtar, teksa iu rikthye në kujtesë e njëjta shfaqje, por e parë në teatrin e Parisit. Meksi thekson se kjo shfaqje nuk duhet lënë kurrsesi pa parë.
Statusi i Mira Meksit:
“Çifti i çuditshëm” i Neil Simon-it
Një pjesë teatri në Tiranë që nuk duhet lënë pa parë.
Fillimtetorin e vitit 2010, në “ Théâtre des Nouveautés” të Parisit 9, pashë komedinë e paharrueshme “ Drôle de couple” ( Një çift i çuditshëm) të shkrimtarit amerikan Neil Simon, një pjesë që ishte luajtur në Broadëay që në vitin 1965 ( The odd couple), e cila kish frymëzuar Gene Saks-in për të realizuar në vitin 1968 filmin e sukseshëm me të njëjtin titull. Ndonëse e kërkova filmotekave të njohura të Parisit kohë të tëra, nuk arrita ta gjeja dot. Ndërkohë, 30 vjet më vonë, pra më 1989 ishte realizuar pjesa e dytë e filmit “ The odd couple 2”.
Pjesa teatrale ishte një klasik i vjetër që më bëri ta dashuroja përnjëherë. Ishte vënë në skenë nga aktorja dhe regjizorja e njohur franceze Anne Bourgeois dhe protagonistët kryesorë ishin aktorët e famshëm Martin Lamotte dhe Bernard Farcy. Kur një maniak pastërtie me emrin Feliks, të cilin e shoqja e nxjerr në rrugë të madhe, dhe një i divorcuar shkataraq me emrin Oskar vendosin të jetojnë së bashku, lind një çift vërtet shumë i çuditshëm që mund të krijojë veç humor.
E dashuroj teatrin. Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar përjetova emocione të forta, të cilat bëheshin edhe më të thekshme nga nostalgjia e teatrit parizian. “Çifti i çuditshëm” i Simon-it, në shqip, vënë në skenë nga regjizorja e njohur Inis Gjoni, me artistë të shkëlqyer ku spikasnin aktorët shumë të dashur për ne të gjithë, Romir Zalla dhe Gentian Zenelaj, ishte përpara meje. Që minutat e para të shfaqjes, kur startonte ritmi i lojës që vetëm do të lartësohej 100 e ca minutave që zgjati shfaqja, dhe ku unë, pa dashur, përpiqesha të krahasoja lojën e dy kohërave dhe dy skenave, atë të kaluarën e Parisit dhe të tashmen e Tiranës, kuptova se jo vetëm do përjetoja kënaqësinë e dikurshme të “Théâtre des Nouveautés” porse ca më tepër. Kimia e harmonishme dhe njëkohësisht shpërthyese midis Zallës dhe Zenelajt ishte jo vetëm e sinqertë, por edhe çelësi i humorit të hollë dhe të mrekullueshëm të shfaqjes.
Vërtet që regjizorja Inis Gjoni luante me vlerat e sigurta të kësaj komendie të rrallë klasike, por ajo e kish gatuar atë mjeshtërisht në salcën shqiptare. Ndonëse në sfond të dekorit shiheshin qiellgërvishtëset e Nju-Jorkut, realiteti i dekorit ndihej shumë i afërt, familjar, ndërsa vërtetësia e gjithçkaje bazohej edhe në batutat e kripura me humor, erëzat dhe piperi i fortë dhe aromatik i gjuhës shqipe. Dy personazhet e zhurmshme dytësore të luajtura aq bukur nga Radi dhe Lika ishin tepër efikase, dhe ishin qershia mbi tortën e suksesit të vënies në skenë kaq origjinale të komedisë “Çifti i çuditshëm”. Ishte një mbrëmje fundvjeshte e rrallë.





