Nga Agim Xhafka
U mbush java që Tahiri është në hit parade të skandaleve. Siç po rri në atë maje edhe PS që po mundohet me marrëzi të justifikojë provat që implikojnë ish-ministrin.
Kur ai doli nga përgjimet italiane i lidhur me klane trafikantësh droge, u tha se nuk bëhej fjalë për të. Ishin rrena dhe shkrime gazetash. Qënkej një Saimir tjetër, gati sa nuk u pranua zyrtarisht se mund të ishte Saimir Pirgu!!!
Kur u kap një i njohur i tij me 800 mijë euro në makinë dhe me dy leje drejtimi anijesh me emrin e Tahirit, u tha se ishin pare të një biznesmeni që do paguante blerjen e 2.000 tonëve hekur.
Nesër, nëse një studente, p.sh. vajza K.L. akuzon Saimirin se e ka ngacmuar seksualisht, PS do nxjerrë në foltore Taulantin urgjent që do thotë:
1-Kjo vajzë është nga Tropoja,
2-Ajo ka përdhunuar Tahirin.
Loja e justifikimeve ka bërë që shteti të drobitet. Saimiri është kthyer tani në një ndryshk të egër mbi trupin e vendit. E kur pritet të ndërhyhet për pastrim, lihet siç është me porosinë, mos e prekni këtë ndryshk, mbrohet nga Rama.
Kuptohet që kjo mbrojtje e zjarrtë bëhet nga një frikë e madhe e Ramës me të tijtë. Çdokush e kupton se Saje Qorri nuk është aq qorr e shurdh. Ka plot gjëra që ai i ka magazinuar diku që qeveria ta mbrojë me çdo çmim. E po duket acik trembja që ka përfshirë të madh e të vogël. Nuk flet askush për këtë metastazë aq të dukshme e të rrezikshme. Jo vetëm deputetët që vijnë nga bandat, por edhe socialistët e racës heshtin. P.sh. hesht edhe Majko. Ai që pafajësinë e ka shtrirë në krejt portretin e tij. E sigurt që Tahiri atë s’ka me se e kërcënon, por e sigurt po del që Majko do më shumë postin se pastërtinë e partisë së tij. Njësoj dhe plot të tjerë. Bëjnë sikur as dëgjojnë as shohin. Ndërkohë ndryshku përparon, gërryen qeverinë, maxhorancën e shtetin.
Sikur Tahiri të ishte ministër i qeverisë Berisha me kaq e kaq fakte e mënxyra, me siguri që protestat, djegiet e gomave, tullat, gurët, pllakat e bulevardit do kishin bërë kërdinë. Shqipëria do ishte në zjarr e flakë dhe me të drejtë. Atdheun po e ha mafia, i ka hyrë në çdo qelizë, hap çdo zyrë e do e ndeshesh, udhëto kudo e do e kuptosh. Në varfërinë masive dhe në banditët që kullufisin tendera e koncesione.
Tahiri po bëhet simboli i PS. Nuk do jetë çudi që dora me trëndafil e socialistëve të shndërrohet në trëndafil me portretin e Tahirit në mes. Se ai është si çanta e Tak Brahos dikur. Por nuk e ka aq të dukshme e të madhe. Se gjëmat i ka në cd e shpërndarë në shumë baza. Tentakula kanosje ngado, si dragoi me dyzet gjuhë që nxjerr zjarr nga goja. Ditët do vijnë me fakte të reja. Ish-ministri është si apandecit i infektuar. Ka plasur në barkun e shtetit e në vend të ndërhyjnë kirurgët për pastrim e operim, ndërhyn Rama e urdhëron që zjarrmin e t’ja mjekojnë me kompresa me uthull molle. Të presim dhe ca, se peritoniti nuk është larg, çështje ditësh …