Presidenti Ilir Meta shfajësoi Edi Ramën nga akuzat e opozitës se ishte kryeministri që largoi Visho Ajazi Likën nga detyra. Në një intervistë për Çim Pekën, presidenti tha se pati një takim me Visho Ajazin, të cilin mund ta vazhdonte detyrën në SHISH.

“Më konkretisht mund t’ju them se një javë më parë e sigurova z.Ajazi që ai do të kishte përkrahjen time të plotë si President i Republikës për të vazhduar detyrën e tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe natyrshëm në përmbushje të detyrave të tjera. Ai më ka falënderuar për besimin. Kjo ishte thjesht për të konfirmuar vazhdimësinë duke pasur në konsideratë edhe komentet e ndryshme mediatike. E kam siguruar se kur të kisha mundësi do e bëja publik qëndrimin tim, jo thjesht për z.Ajazi, por për Shërbimin Informativ në terren”, u shpreh Meta.

I pyetur nëse do ta firmoste shkarkimin e Visho Ajazit, Meta tha se Rama nuk ia kishte kërkuar diçka të tillë. I vetmi kontakt me kryeministrin ishte kur ky i kishte vënë në tryezë dorëheqjen e Visho Ajazit.

Lulzim Basha deklaroi dje se nuk kishte informacione për shkarkimin e Visho Ajazi Likës, por sipas tij largimi i tij lidhej me zbulimin e dosjes Habilaj.

“Një Shërbim Informativ i cili harton raporte për përfshirjen e Policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, siç ka bërë SHISH prej dy vitesh, është halë në sytë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës. Ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër përveçse presionit politik”, tha Basha.