Ajo çfarë ka ndodhur e po ndodh me shëndetin e popullatës është një gjëmë e madhe e llahtarshme që çdo ditë e më shumë prek konsumatorin. Të gjithë e dinë, të gjithë janë të pafuqishëm të ndryshojnë realitetin. Të gjithë e pranojnë dhe ofshajnë. Të gjithë kanë dikë që kanë humbur apo dikë që lufton betejën e jetës, për të mos e humbur atë!

Shqiptarët po ushqehen me produkte që nuk dinë çfarë origjine kanë, çfarë sigurie, çfarë vlerash ushqimore, dhe ç’është akoma edhe më e keqja nuk e dinë as çfarë antivlerash ushqimore kanë. Rastet në media janë të shumta, kur janë zbuluar stalla e magazina që prodhojnë e etiketojnë produkte ushqimore që më pas shpërndahen në popullatë pa asnjë garanci ushqimore.

Rrjedhimisht del në konkluzionin se numri i të prekurve me kancer, pa përmendur sëmundjet e tjera, është një këmbanë e madhe alarmi për atë se çfarë po hanë çdo ditë shqiptarët. Për qeveritarët nuk e dimë me çfarë ushqehen, apo çfarë u shtrojnë në tavolinë çdo vakt fëmijëve të tyre.

250 raste të reja me kancer evidentohen çdo vit në Durrës, pa përmendur shifra në të gjithë vendin, apo ata që evidentohen e trajtohen në spitalet jashtë Durrësit. Kjo shifër i përket vitit 2013, kur u hap reparti i shërbimit të kemioterapisë në Durrës. Mjekët thonë se shkak i rritjes së personave që diagnostifikohen me kancer janë produktet ushimore që konsumojnë.

Tani të kthehemi tek thelbi.

Në dyqanet tona nga supermarketi më luksoz e deri tek dyqani i vogël në cepin e lagjes tregtohen produkte ushqimore. Prej atyre të ambalazhuara, ku data e skadencës fshihet e shkruhet disa herë, fruta e perime me hormone, djath që vetëm shijen e djathit nuk ka, kos që nuk thartohet kurrë, gjizë që edhe pas disa muajsh nuk zverdhet prej vajit të palmës me të cilin përzihet, vaj që nuk e dimë origjinën, nëse është palme, apo luledielli siç ka etiketën, vaji i ullirit i cili shitet 500 lekë të reja në bidona 1.5 litërsh, e shumë e shumë çudira të tjera.

Nga vijnë e kush i sjell, kush i importon, kush i kontrollon e kush sigurohet se popullata po ushqehet siç duhet me këto produkte?

Produktet a janë të sigurta apo jo?

Fshatarët e pranojnë që u hedhin hormone produkteve të tyre. Domatet pa farë e kastraveci që vazhdon të rritet edhe kur e mban në frigorifer.

Etiketat e produkteve të ambalazhuar fshihen e vulosen sa herë pa problemin më të vogël.

Magazinat stalla/ A korruptohen nga aroma e parasë inspektorët e shtetit?

Një ditë më parë në Sukth të Durrësit u evidentua një super magazinë ushqimore, e cila vijonte aktivitetin prej vitesh duke stampuar etiketa false, sipas deklarimit të media të drejtorit të ri të AKU-së në Durrës Sefer Sefa.

Drejtori i ri ta gëzojë detyrën e rëndësishme që i është besuar! Të ketë suksese në punën e tij.

Por drejtori i ri që ka marrë këtë detyrë kaq shumë të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin e popuillsisë, e në të ardhmen e jetës e të vazhdimësisë së saj, të parin gabim e bëri me median. Dhe këtu çështja është tejet delikate.

Zoti Sefa nuk lajmëroi zyrtarisht mediat kryesore qëndrore në Durrës për bllokimin e kësaj magazine apo stalle me tonelata produkte të ndryshme ushqimore. Lajmërimi erdhi tërësisht periferik tek gazetarët e medieve serioze qendrore! A është e qëllimshme një strategji e tillë?

Në dukje të parë, PO!

Po, sepse drejtori në fjalë, në momentin që lajmërimin e jep nëpërmjet rrugëve jo zyrtare, të lë të kuptosh se biznesit në fjalë po i bëhet “puç” ose inspektorët po rrisin “gjobën” që ka për të paguar subjekti në fjalë.

Në njoftimin e shpërndarë në media konkretisht thuhet:

Gjatë inspektimit në Njësinë Administrative Sukth, u gjet një magazinë e tipit stallë, ku bëhej fallsifikimi i produkteve të ndryshme ushqimore. Këto produkte etiketoheshin me etiketa fallco.

Aktualisht trupa inspektuese nën drejtimin e Drejtorit Rajonal të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Qarku Durrës, Sefer Sefa, janë prezente në vendngjarje. 

"Unë jam këtu për të vepruar sipas ligjit dhe për të menduar për shëndetin publik e cila është pjesa më e rëndësishme e institucionit të cilin përfaqësoj, për këtë arsye Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Qarku Durrës do të zbatojë me rigrozitet ligjin dhe do të veprojë me tolerancë zero ndaj subjekteve të cilët e ushtrojnë aktivitetin e tyre në shkelje të dispozitave ligjore. Ne si drejtori kemi për qëllim dhe detyrë vendosjen e bazave për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe popullates" – ka deklaruar Sefa.

Por a bie kambana diku tjetër?

Kjo magazinë me tonelata produkte ushqimore nuk u vendos sot në Sukth, as dje kur mbërritën inspektorët e AKU-së. Aty ka qenë në vite dhe ka ushtruar aktivitetin e saj, madje në dijeni janë të gjithë inspektorët që e kanë për detyrë kontrollin e saj. Vetëm nëse inspektorët e AKU-së kanë marrë “shpërblimin” e muajit në këtë magazinë. Që larg qoftë të jetë kështu, se kushedi sa salcë, majonezë, sa vaj apo konserva, sa oriz apo makarona etj. produkte të etiketuara sipas mendjes së ndonjë punëtoreje aty kemi shtruar në vaktet tona. Nuk e dimë as nëse ka larë duart apo jo, ndërkohë që ka bërë paketim në mënyrë artizanale. Po vlerat ushqimore që kemi lexuar së bashku me datën e skadencës? Po kushtet higjeno-sanitare, si janë ruajtur këto produkte? Ne konsumatorë jemi, në raftet e supermarketeve i kemi parë të ekspozuar dhe i kemi blerë me paratë e rrogës, për të cilën lodhemi e rraskapitemi gjithë muajin, si çdo shqiptar i ndrshëm.

Larg qoftë që ndonjë inspektor AKU-je, apo drejtori, përballë fletëve të verdha dhe aromës së parasë të harrojë detyrën  e tij. Larg qoftë, se nuk duhet ta besojmë, nëse aroma e lekëve i prish mendjen dhe në treg del produkti i skaduar.

Por këtë dyshim se çfarë ndodh në këtë magazinë, akoma nuk e kemi hequr, për aq kohë sa AKU-ja në Durrës akoma nuk ka dalë me një njoftim zyrtar e të sqarojë opinionin publik nëse “ka gjëmë brenda magazinës” apo ka këngë.

Se njerëzit ushqehen që të sëmuren me kancer. Paguajnë para që të blejnë ushime për ta e fëmijët e tyre, që më pas të sëmuren e të shkojnë në spital, të shkojnë në farmaci e të mos kenë as para për t’u kuruar.  

Epo prej inspektorit më të thjeshtë e deri tek drejtori i madh, nga i pari tek i fundit kanë detyrë me shumë përgjegjësi për aq kohë sa firma e vula e tyre nxjerr në treg produktet ushqimore.

Për aq kohë sa biznesi më fitimpurës është ushqimi, ashtu janë bërë edhe ilaçet të pandashme.

Hapi i parë është hedhur gabim nga drejtuesit e AKU-së në Durrës. Mungesa e transparencës me median hedh dyshime të rëndësishme se diçka ka e diçka fshihet. Për aq kohë sa vetë drejtuesit bëhen palë me dashje apo pa dashje duke ngritur mjergull e hije dyshimi për produktet ushimore që gjenden në stalla, publikut duhet t’i tregohet e vërteta.

Çfarë ndodhi dje në Sukth? Çfarë produktesh janë? Ku e kanë destinacionin? Është i licencuar subjekti? Faturat e mallit janë kontrolluar? Hyrje – daljet? Zoti drejtor, çdo njeri që humb jetën është një gjëmë e madhe për familjen e tij. Nëse nuk është e vërtetë e gjithë kjo, drejtori ka detyrim ligjor të dalë e të sqarojë publikun, për çfarë bëhet fjalë! Të shkojnë para drejtësisë autorët dhe ata që kanë fshehur apo nuk kanë bërë detyrën në evidentimin e kësaj magazine! Secili të përballet me ligjin për atë që ka bërë e nuk ka bërë!  Dhe deri sa drejtori ta bëjë këtë, të hedhë dritë, ne kemi të gjthë të drejtën tonë të dyshojmë deri në fund!

K.H.