Kryeministri i vendit Edi Rama i dha një tjetër mesazh sot aleatëve të dikurshëm në qeveri, LSI-së, të cilët janë tashmë në opozitë. Duke marrë shkas nga punësimet në institucionet më të rëndësishme të vendit të njerëzve jo profesionistë, Rama tha se do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që e kanë lejuar këtë llum. Sipas Ramës, problemi më i madh qëndron në burgje dhe hipoteka.

“Çuarja e tepsisë për skrap do marrë 4 vjet, por fillimi i procesit këtu është nisur, do vazhdojë edhe aty ku është llumi më i madh në burgje dhe hipoteka. Burgjet janë sistemi ku shteti llum është bërë bashkë me llumin antishtet. Llumi ka arritur në nivele të papërfytyrueshme. Ndaj iu bëj thirrje të gjitha forcave të afta të ndërgjegjshme, profesionale duke filluar nga ushtarakët në lirim të bëhen pjesë e këtij procesi, asnjë veteriner masazhator, infermier, apo këngëtar nuk do të punësohet më si polic burgu. Hipotekat janë një tjetër llum i madh, aty reforma ka nisur. Të jeni të sigurt se do mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë lejuar llumin”, tha Rama.