Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i është kundërpërgjigjur deklaratave të sotme të Edi Ramës, i cili tha se në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, institucion i drejtuar nga LSI ishte punësuar edhe një këngëtar. Duke folur nga Pogradeci, në një takim me strukturat e LSI-së, Kryemadhi tha se ‘kriminelet që Edi Rama ka zgjedhur për t’i patur në krah nuk kanë për ta mbrojtur dot dhe më mirë një këngëtar në krah, se një vrasës’.
“Epoka e sundimit të krimit të organizuar do të marrë fund. Më mirë të kesh në krah një infermiere, një këngëtar, një mësues, një shtëpiake, një pensionist dhe një të papunë se sa një vrasës, një tutor prostitutash, një trafikant armësh apo trafikant droge që po drogojnë fëmijët e Shqipërisë. Është me e ndershme të kesh një të papune shok e mik, të rrish e të punosh me ta, se sa te jetosh me kriminelët që Edi Rama ka zgjedhur për të drejtuar Shqipërinë. Edi Rama mund të qeverisë shtëpinë e tij me kriminelet, por Shqipërinë jo”, ka qenë deklarata e fortë e bërë nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.





