Demokratja Majlinda Bregu i ka dhënë një përgjigje të prerë zërave dhe pyetjeve që qarkullojnë prej kohësh në media, se a do të pranonte një post të rëndësishëm nga kryeministri Edi Rama.

Gjatë një interviste në emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskës, Bregu ka folur qartë dhe prerë. “Nëse Rama ju ofron një pozicion, si për shembull ai i kryenegociatores, a do ta pranonit?”

Bregu është përgjigjur “jo” pa ironi, duke thënë se prej kohësh asaj virtualisht i “janë dhënë” shumë poste, por asgjë nuk ka qenë e vërtetë.

“Nuk ka mbetur pyetje hipotetike që nga presidenti, ministre, etj. Unë nuk kam nevojë për asnjë pozicion politik, aq më tepër në forcën kundërshtare, për të bërë një detyrë që e kam bërë me zemër”, u përgjigj qartë ish-deputetja e Partisë Demokratike, e cila u la jashtë listave nga lideri demokrat Lulzim Basha.