Detaje të reja dalin në dritë nga mbledhja që zhvilloi sot grupi parlamentar i PD-së, pak pas përfundimit të seancës plenare. Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha i ka bërë thirrje deputetëve demokratë që të jenë një grup sa më ‘luftarak’.

Mes të tjerash raportohet se PD do të shfrytëzojë çdo hapësirë që i jep rregullorja që të ketë sa më shumë debate në Kuvend, duke marrë shkas edhe nga tensionet e shkaktuara sot ku lideri i PD-së Lulzim Basha u përjashtua për një ditë nga salla, pasi theu rregulloren.

Demokratët do ta nisin nga Reforma Zgjedhore, ku do të shfrytëzojnë çdo hapësirë kushtetuese dhe ligjore që i jep të drejtë opozitës që të bëjë debat si: interpelanca, thirrje ministrash etj.

Mes të tjerash demokratët do të shohin mundësinë që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Ndërkohë, debati për reformën Zgjedhore pritet të mbahet ditën e enjte, ndonëse u përfol që ajo që të mbahej të hënën.