Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nëpërmjet një statusi në profilin e tij në “Facebook” se është hapur gara për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e qeverisë “Rama 2” në pozicionet e drejtuesve të spitaleve universitare dhe rajonale në vend.

Sipas kryeministrit, të gjithë ata që aspirojnë për drejtorë duhet të çojnë CV pranë Ministrisë së Shëndetësisë, pasi konkursi do të jetë i ndershëm dhe drejtorët nuk do të zgjidhen politikisht si deri më tani. Më tej Rama shpjegon se pjesë e komisionit përzgjedhës do të jenë edhe të huaj.

STATUSI I PLOTË

Ju uroj një ditë të mbarë me këtë ftesë të posaçme të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, drejtuar atyre që duan të sfidojnë veten dhe ndryshojnë realitetin, duke u bërë pjesë e bashkëqeverisjes përmes drejtimit të spitaleve tona.
Kur kanë mbetur edhe 24 orë nga afati i fundit, po edhe për të promovuar këtë qasje të re në zgjedhjen e drejtuesve publikë, që do ta shtrijmë në çdo fushë shërbimesh për qytetarët:

Të gjithë të interesuarit që duan të aplikojnë për pozicionet e drejtuesve të spitaleve universitare dhe rajonale në vend, janë të ftuar të aplikojnë sipas procedurave të shpallura në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, faqen web www.puna.gov.al dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale www.shendetesia.gov.al
Dokumentacioni i kandidatëve do të dorëzohet pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kandidatët do të testohen nga Komisioni i vlerësimit ad hoc, i cili do të përbëhet nga:
i. Përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
ii. Mjek me eksperiencë shumë-vjeçare në shërbimet spitalore;
iii. Dy menaxherë sipërmarrjesh të suksesshme;
iv. Drejtues i një Spitali jashtë vendit;
v. Ekspert ndërkombëtar në fushën e menaxhimit shëndetësor/spitalor, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
vi. Mjek i njohur me titull shkencor, i cili ushtron të drejtën e pensionit;