Policia e Dibrës ka reaguar sot lidhur me një video të publikuar dje në rrjetet sociale, ku shfaqeshin disa persona që qëllonin në ajër me armë zjarri në Dibër. Policia thotë se për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim katër persona, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.
Në njoftimin për shtyp, policia bën me dije, bazuar te dëshmia e shtetasit me inicialet M.V., (i proceduar), se kjo video është realizuar shumë vite më parë, në një zonë malore.
Njoftimi për shtyp:
Bazuar në një video të shfaqur në portalin online “Jeta osh Qef”, ku shfaqen disa persona duke qëlluar në ajër me armë zjarri, ju informojmë se :
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u referuan materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit", neni 278 i Kodit Penal, dhe u bë shpallja në kërkim i shtetasve :
E.R, 32 vjeç, banues në Tiranë, D.H, 29 vjeç, R.S, 31 vjeç, E.V, 32 vjeç, të gjithë banues në Dibër.
Si dhe ndiqet në gjendje të lirë shtetasi M.V, 33 vjeç, banues në Dibër.
Shpallja në kërkim e shtetasve të lartpërmendur dhe procedimi penal ndaj shtetasit M.V, është bërë pasi në videon e shfaqur në portalin Jeta osh Qef, këto shtetas kanë qëlluar me armë në një mal, akoma i paidentifikuar.
Sipas deklarimeve të shtetasit M.V, kjo video është realizuar në një zonë malore para shumë vitesh.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesat e shtetasve të lartpërmendur dhe nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.
Nga Strukturat e Polisisë së Dibrës vijon puna për përcaktimin e saktë të vendit dhe kohës se kur ka ndodhur ngjarja, si dhe për sqarmin dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për ndjekie të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falënderon mediat për bashkëpunimin dhe fton cilindo të denoncojë rastet e paligjshme, duke ju garantuar reagim të shpejtë profesional dhe të paanshëm.





