Një makinë policie është përplasur nga një automjet të hënën në Elbasan, gjatë operacionit që po zhvillohej në këtë qytet. Ngjarja ndodhi gjatë kohës që policia po shoqëronte një automjet luksoz me vlerë 100 mijë euro.
“Në kuadër të zbatimit të planit – Operacionit “Summer 2017 Elbasani” me qëllim bllokimin e automjeteve motorike të trafikuara, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen “Dyli Haxhire” nga efektivët e policisë në automjetin me targa AA 040 OJ, mjet luksoz me një vlerë rreth 100.000 Euro, personit iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit”, thuhet në një njoftim të policisë.
Ngjarja ndodhi në momentin që mjeti po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një Patrullë Policie. Një makinë “Audi” është afruar me shpejtësi dhe ka goditur makinën e policisë me targa MB 002 AA, për t’u larguar më pas drejt Tregut Ushqimor.
Policia dyshon se makina “Audi” është e blinduar.
Për ngjarjen në fjalë janë shoqëruar disa persona që kanë qenë në ambientet e tregut. Policia ka rrethuar vendngjarjen dhe po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e kësaj ngjarjeje.
Drejt Elbasanit kanë shkuar forcat RENEA, si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, së bashku me Drejtorin e Forcave Lëvizëse Operacionale, Sokol Bizhga.





