Vogëlushja Victoria Zikaj 13 muajshe, vajza e emigrantit shqiptar Egi Zikaj, u masakrua dje për vdekje nga dy qen pitbull në shtëpinë e gjyshit të saj. Nga sulmi ka mbetur i lënduar dhe gjyshi nga babai, i cili është i shtruar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Prokuroria e Breshias ka ngritur një padi penale për gjyshin shqiptar, nën kujdesin e të cilit ishte vogëlushja kur u kafshua për vdekje nga dy qentë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19.30 të mbrëmjes së shkuar ndërsa vogëlushja ndodhej në banesë vetëm me gjyshin e saj. Gjithçka ndodhi brenda pak minutash kur vogëlushja iu largua kontrollit të gjyshit duke dalë në oborrin e shtëpisë për të luajtur me qentë, raporton Il Messaggero.
Skuadra e ndihmës së shpejtë e thirrur nga fqinjët e familjes, mundi të hyjë në banesë vetëm pasi forcat e rendit i vranë me armë zjarri qentë.
Kryebashkiaku i Fieros, provincë e Breshias, ku ndodhi ngjarja e rëndë ka deklaruar se nuk ka pasur denoncime në polici për dy qentë. Nëse do të kishte pasur denoncime reale dhe jo vetëm fjalë, do të ishin marrë masat për të parandaluar një ngjarje të tillë” ka thënë kryebashkiaku Pietro Alberti.





