Një i ri nga Shkodra është arrestuar nga policia e Bulqizës në fshatin Zerqan, ku i riu ishte fshehur në banesën e gjyshes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit vunë në pranga shtetasin Mirsad Pepa, 26 vjeç, banues në Shkodër.

Arrestimi i tij u bë pasi shërbimet e policisë kishin marrë informacion se ky shtetas mbante armë me vete dhe ishte strehuar në banesën e gjyshes në fshatin Zerqan.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në kushtet e flagrances në banesën e shtetases Sh.K, në Zerqan, Bulqizë, nipi i saj shtetasi Mirsad Pepa, në momentin që forcat e policisë janë futur në banesë, ka hedhur nga dritarja një armë zjarri Pistoletë TT, me krehër të mbushur me 7 fishek.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të banesës është gjetur edhe një fishek pistolete model 54.

Policia bën me dije se kontrolle të tilla do të vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut Dibër.

Ndërsa ndaj të riut rëndon akuza “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.