“Blindohet” qendra e Durrësit! Mëngjesin e kësaj të shtune, në rrugët kryesore në qendër të Durrësit dhe në sheshin “Liria” shihen prani të shtuara të uniformave blu, patrulla e furgonë policie.
“DurrësLajm” mëson se shkak është bërë prania e përfaqësuesve të lartë të NATO-s në qytetin bregdetar.
Aktualisht, në Tiranë po mbahet Konferenca e Shefave të Shtabit të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Në fokus të kësaj mbledhjeje, e cila zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, diskutohen çështje të sigurisë së Ballkanit.
Pas përfundimit të konferencës, pritet që disa ndër përfaqësuesit e këtij delegacioni të zhvillojnë një vizitë në Amfiteatrin dhe Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Ndërsa një pjesë e tyre aktualisht janë duke shijuar kafenë e mëngjesit në lokalin e ri 3-katësh që gjendet në qendër.
Për këto arsye, Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit ka shtuar masat e sigurisë.





