Ekzekutim i stilit mafioz, vritet një 24-vjeçar shqiptar në Itali. Ngjarja e rëndë ndodhi përpara një lokali në Desio, provincë në Monza, ku mbeti i vrarë i riu shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.
Sipas medieve italiane, ai është ekzekutuar me të paktën dy plumba pistolete rreth orës 02:00, përballë një lokali në Brianza.
Viktima mësohet se ndodhej në shoqërinë e një tjetër shqiptari, në momentin kur ndodhi ngjarja. Ka qenë pikërisht bashkëkombasi, personi i cili e ka dërguar atë në spital.
Sipas dëshmisë së tij, ata ndodheshin në makinë, kur një tjetër automjet iu afrua dhe nga ai zbriti një person, i cili qëlloi më pas në drejtim të 24-vjeçarit dhe u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Shqiptari ka ndërruar jetë pasi është dërguar në spital.
Deri në këto momente nuk ka të dhëna të tjera rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet. Mediat shkruajnë se vrasja e 24-vjeçarit shqiptar është e mbuluar me mister.
“Nuk dihet asgjë për djalin shqiptar të vrarë gjatë natës. Nuk dihet as për jetën e tij, rrethin e miqve dhe të të njohurve. Për fat të keq, është e lehtë të mendosh se këtu është dora e mafies, ndoshta edhe shqiptare. Dinamika e sulmit të bën të mendosh se është vepër e mafies. Ndoshta 24-vjeçari shqiptar kishte bërë diçka të gabuar ndaj njerëzve të gabuar, dhe e ka paguar mirë”, shkruajnë mediet italiane.





