52-vjeçari Luan Komani, është arrestuar për herë të tretë për rilidhje të paligjshme të energjisë. Në muajin gusht, ai iu lut gjyqtarit të gatshëm ta linte në burg, pasi nuk ka asnjë mundësi ta paguajë detyrimin prej 200 mijë lekësh.

Në një intervistë për “Fiks Fare”, ai tregon arsyet se përse e rilidhte energjinë.

“Unë nuk kam vjedhur! I lidha për të parë televizorin dhe karikuar celularin. Fatura kishte vajtur 1.5 mln për 10 vjet. Burgun nuk e kisha provuar ndonjëherë! Qejf nuk kam të qëndroj në burg, por…”, thotë Luan Komani.

Ai rrëfen se edhe ato pak të ardhura që ka i shfrytëzon për të shkruar ndonjë libër.

“Kam bërë 22 libra! I kam të pabotuara! Aty kam hedhur mendimet e mia për bankën, punën, fshatin në përgjithësi. Jam financier dhe kam punuar bankier tek ish-banka e Kursimeve”, shton ai.