Policia e shtetit ka pezulluar nga detyra një punonjëse të policisë pasi akuzohet se falsifikoi formularin e dekriminalizimit. Specialistja e Informacionit, me inicialet M.D., kishte fshehur se ishte dënuar 18 muaj burg për shpërdorim detyre.
Këtë dënim ajo nuk e ka bërë të ditur gjatë plotësimit të formularit të dekriminalizimit për punonjësit e shtetit, duke shënuar në formular si e padënuar.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se punonjësja e policisë, N/komisare M.D., me detyrë Specialiste Informacioni dhe për marrjen e kallëzimeve në Seksionin e Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, ka qenë më parë e dënuar me 18 muaj burg për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal” informon policia e shtetit
Prokuroria kërkoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, caktimin e masës së sigurimit personal për punonjësen e Policisë.
Gjykata në bazë të këtyre të dhënave vendosi caktimin e masave shtrënguese “Mosushtrim i detyrës” dhe “Detyrim paraqitjeje pranë Policisë Gjyqësore” për N/ komisaren.
Mbi të rëndon akuza “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve zyrtarë”, e parashikuar nga neni 190/1.a i Kodit Penal.
Hetimi u krye Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
SHÇBA ofron numrin falas 08009090 për çdo qytetar që ka informacion mbi implikimin apo shkelje ligjore të punonjësve të Policisë.





