Rreth orës 21.00,  në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Qafa e Buallit-Klos një automjet ka marrë flakë.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor dhe shërbimi i zjarrfikëses në vendin e ngjarjes ku kanë konstatuar një automjet tip "Ford Foxus ", me targa AA 779 AJ, ku në lëvizje e sipër ka marrë flakë, duke u djegur plotësisht.

Në automjet ndodhej vetëm drejtuesi i automjetit  dyshohet shtetasi Sh.Ç,  i cili si pasojë e flakëve të rëna ka marrë plagë të rënda,  ku pasi ka marrë ndihmën e parë  në spitalin e Bulqizës është transportuar për ndihmë më të specializuar në Tiranë.

Po punohet për identifikimin e saktë të drejtuesit të automjetit.

Shkaku paraprak i rënjes së zjarrit dyshohet si pasojë e defektit të  baterisë së automjetit.

Grupi hetimor në vendngjarje, po punon për zbardhjen e shkaqeve të djegies së automjetit.