Sapo një grup banorësh në prezencë të medieve janë vënë kordon para pallatit katër katësh, nga tarraca e të cilit kërcënonin se do të vetëflijoheshin dy vëllezërit Bejko, në lagjen numër 11, as policia dhe as përmbarimi që kishin mbërritur për të ekzekutuar vendimin nuk qëndruan gjatë.
Bëhet fjalë për ekzekutimin e vendimit nga ana e përmbaruesve për katin e katërt të ndërtuar me punë vullnetare ku jetojnë familjet e vëllezërve Bejko prej 38 vjetësh, ish-pronë e familjes Shijaku.
Familja Shijaku, e cila është pronare e vjetër e pallatit, pretendon të marrë edhe katin e katërt dhe ia ka arritur që me dokumente e seanca gjyqësore ta bëjë të vetin edhe katin e katërt të pallatit.
Në orën 09:00 të mëngjesit ishte lajmëruar që do të kryhej ekzekutimi i vendimit. Në vendngjarje ishin mediat dhe banorët e lagjes. Më pas mbërritën edhe përmbarimorët dhe policia. Dy vëllezërit Bejko hipën në tarracën e katit të katërt, duke pohuar se të gjallë nuk do ta lirojnë banesën e tyre.
Policia e përmbaruesit qëndruan për më shumë se një orë. Në fund u larguan, pa bërë asgjë. Vëllezërit Bejko e shikojnë këtë si një arritje të vogël. Ata akuzojnë sistemin e drejtësisë se nëpërmjet vendimeve të korruptuara, katin e katërt të pallatit të ndërtuar me punë vullnetare ia kanë dhënë në pronësi ish-pronarit.
Ata i druhen faktit që mund t’i nxjerrin me dhunë nga shtëpia e tyre dhe së bashku me fëmijët të gjenden në mes të katër rrugëve.
K.H.





