Alket Rizai, shqiptari i dënuar për pengmarrje në Greqi, i njohur për disa arratisje spektakolare, ka bërë një gjest mjaft human.
Shqiptari ka angazhuar të dënuarit e tjerë në burgun ku ai vuan dënimin në shtetin fqinj, që të paguajnë para për të mbledhur të ardhura në ndihmë të një vogëlusheje. Bëhet fjalë për 8-vjeçaren Evangelia Kastrinaki, historia e së cilës ka prekur shumë zemra. E vogla nga Kreta vuan nga sëmundja e kancerit, dhe për të marrë një trajtim të specializuar në Britani të Madhe, i duhen mjaft para, familja e së cilës nuk i ka kushtet e nevojshme ekonomike. Shumë qytetarë, të njohur dhe të panjohur me familjen e vajzës, kanë dhënë kontributin e tyre.
Por gjyshi i Evangelisë, Giorgos Kastrinakis, ka bërë të ditur në një lidhje direkte në një televizion grek, se mes personave që kanë dhënë ndihmë, është edhe i dënuari shqiptar Alket Rizai, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun e Domokos. Gjithashtu ai tregoi se i burgosuri Alket Rizai telefonoi të atin e vajzës dhe i tha se mblodhi lekë nga të burgosurit për të dhënë sado pak ndihmë në shpëtimin e jetës së vajzës 8-vjeçare.
Qëndrimi në Londër i Evangelisë për të marrë mjekim atje dhe i prindërve të saj, pritet të zgjasë 2 ose 3 muaj, ndaj dhe vlera monetare që i duhet është e papërballueshme nga ana e tyre. Gjyshi i 8-vjeçares falënderoi përmes televizionit të Kretës të gjithë ata që ndihmuan Evangjelinë.





