Fadil Kasemi, ish-bashkëshorti i gjyqtares së ndjerë Fildeze Hafizi, ka dalë paraditen e së dielës para togave të zeza të gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku u zhvillua seanca për masën e sigurisë ndaj tij, dhe u vendos lënia në burg.

Raportohet se ai ka qenë mjaft i qetë në nisje të seancës. Teksa ka dhënë gjeneralitetet, ai ka pranuar krimin, por edhe këtë herë nuk ka folur, s’ka dhënë asnjë detaj më shumë rreth motivit të krimit. Mësohet se familjarët e tij kanë qenë jashtë gjykatës dhe nuk janë futur në seancë.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi arrest me burg pa afat ndaj Kasemit, i akuzuar për vrasjen e gjyqtares katër ditë më parë.

Burimet zyrtare thanë se organi i akuzës ka dërguar mesditën e djeshme në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Fadil Kasemi, i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim personi”.

Dy akuzat e para që janë ngritur ndaj të arrestuarit lidhen me vrasjen e gjyqtares, ndërsa akuza e “rrëmbimit të personit” ka të bëjë me tentativën e largimit të autorit nga vendi i krimit.