Teuta është rikthyer në Durrës. Ekipi i Maganit ka përfunduar përgatitjet në Itali ku ka qëndruar për një periudhë prej rreth tri javësh. Skuadra durrsake ka plot tre lojtarë më shumë nga momenti kur edhe iu drejtuan Italisë.Tekniku Magani do të ketë në skaduar tre futbollistë të shtuar për nisjen e këtij sezoni. Kështu Nijaz Lena rikthehet në Durrës pas një sezoni në Kukës.Afrim tjetër është Onyeka për sulmin si dhe më shumë mundësi edhe sulmuesi Latif do të jetë pjesë e durrsakëve për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që në ditët në vijim pritet të mbërrijë edhe mbrojtësi Sunday, i cili ka pothuajse një muaj që përflitet si një prej afrimeve, por që nuk është parë ende tek ekipi durrsak.
Sakaq mësohet që do të ketë dhe afrime të tjera, pse jo dhe ndonjë rikthim të ndonjë lojtari që ka luajtur më parë me ekipin durrsak. Sa u përket afrimeve, nuk duhet harruar edhe i riu Bilali që është pjesë e durrsakëve dhe ka zhvilluar fazën përgatitore me ekipin në Itali. Futbollisti nga Elbasani ka arritur që të bindë trajnerin dhe stafin teknik me paraqitjet që ka zhvilluar në Itali.Magani, me këto afrime, e ka ekipin pothuajse të kompletuar dhe për këtë arsye do të bëjë edhe një grumbullim tjetër në javën e ardhshme. Në grumbullimin e dytë, skuadra do të ketë mundësinë që të ambientohet totalisht edhe me lojtarët e rinj.Faza e plotë përgatitore, ditët e mjaftueshme në dispozicion ku ekipi ka qëndruar i grumbulluar, ndeshjet miqësore dhe afrimet e bëra duke përfshirë edhe elementet e rinj janë tregues pozitivë për Teutën, e cila nën drejtimin e Maganit do të synojë më së paku që të mos ndihet e rrezikuar në fundin e tabelës së klasifikimit.