Dinamo e Zagrebit përforcohet me një futbollist shqiptar, përpara duelit në fazën “play off” të Europa League me Skënderbeun. Bëhet fjalë për mesfushorin Arijan Ademi.26-vjeçari, që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te gjigandët kroatë, përfundoi pezullimin e dhënë nga UEFA, pasi rezultoi pozitiv në testet anti-doping. Fillimisht pezullimi ishte 4-vjeçar, por kohëzgjatja u ul nga Apeli në 2 vjet.Arijan Ademi është kthyer këtë të martë në stërvitje me skuadrën, ndërsa klubi ftoi të gjithë tifozët ta mirëprisnin lojtarin në seancën e zhvilluar në stadiumin “Maksimir”.

Një mënyrë për ti treguar mesfushorit me origjinë shqiptare, të lindur në Kroaci, por që prej vitit 2014 përfaqëson Maqedoninë në arenën ndërkombëtare, se ai mbetet një pjesë e rëndësishme e Dinamos së Zagrebit.Mbetet për tu parë se çfarë do të vendosin stafi teknik dhe trajneri Cvitanovic rreth aktivizimit të Arijan Ademit, fillimisht në derbin përballë Rijekës, që do të luhet këtë të premte dhe më pas në ndeshjet “play off” përballë Skënderbeut, që do të luhen në datat 17 dhe 24 Gusht.