Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim kanë transportuar 7 për qind më shumë mallra dhe 4 për qind më shumë udhëtarë se sa në të njejtën periudhë të vitit 2016. Tragetet janë shfrytëzuar nga afro 400 mijë udhëtarë gjithsej, ose 13.831 udhëtarë më shumë se sa 7-mujori i parë i vitit të kaluar.
Sektori i Statistikave të APD, bën me dije se tragetet kanë transportuar mbi 481 mijë tonë mallra, ose 31.364 tonë më shumë se sa në 6 muajt e parë të vitit 2016.
Megjithëse kanë kryer 39 lundrime më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, shifrat e transportit të mallrave me tragete në 7 muajt e parë të vitit 2017 janë 7 për qind më të larta për eksportet dhe po aq edhe për importet, krahasuar me ato të periudhës janar – korrik 2016.
Numri i udhëtarëve në hyrje drejt Durrësit në këto 7 muaj ka qenë rreth 28 mijë njësi më i lartë se sa në dalje drejt porteve të Italisë.
Ndërkaq numri i autoveturave në 7 muaj ka arritur në 77.481, me një rritje prej 5 për qind, ndërsa ai i kamionëve ka pësuar një rritje prej 10 për qind, duke arritur shifrën prej afro 40 mijë kamionësh.