Tashmë sinjali është i qartë. E ardhmja e Ledian Memushajt është larg Pescarës. Trajneri Zeman e la jashtë skuadrës kapitenin, për ndeshjen e Kupës së Italisë, ku “delfinët” fituan 5-3 përballë Triestinës.Kur kanë mbetur edhe pak javë nga mbyllja e merkatos, klubi dhe stafi teknik konfirmuan se po e planifikojnë edicionin e ri pa mesfushorin e Kombëtares shqiptare.

Memushaj u përzgjodh nga klubi për të prezantuar fanellën e ndeshjeve jashtë fushe, për sezonin 2017-2018, por edhe pse vendimi fillimisht u interpretua si zgjedhje e klubit për ta mbajtur përfundimisht lojtarin, tashmë situata ka ndryshuar.30-vjeçari kuqezi është me valixhe në dorë, ndërsa menaxheri i tij, Mario Giuffredi vazhdon kontaktet me Sionin e Paolo Tramezzanit. Pengesa lidhet me faktin se ndërmjet kërkesës dhe ofertës ka gjysmë milioni euro diferencë. Shifra është e konsiderueshme, por marrëveshja është mëse e mundur, nëse palët e përfshira në negociata do të shfaqin vullnet për të gjetur akordin.Një alternativë për Ledian Memushajn mbetet edhe Benevento, skuadër e sapo ngjitur në Serinë A italiane. Pas interesimit të shfaqur në fillim të merkatos, klubi nga Kampanja u duk sikur u tërhoq, por nuk është përjashtuar si mundësi.