Një djalosh i artë. Fama e Mario Balotelit në periudhën e tij të artë në Itali bëri që Manaj të krahasohej me sulmuesin italian. Talenti dhe karakteri i vështirë i tij e bënë Manajn që të konsiderohej jo rrallëherë si Baloteli i Kombëtares shqiptare.Rei Manaj bëri që Inter dhe Juventus të dublonin mes tyre për të fituar shërbimet e shqiptarit një vit e gjysmë më parë. Dy nga emrat më të mëdhenj të futbollit italian shprehën dëshirën për të marrë një talent 18-vjeçar në ekipet e tyre dhe ishte Inter që shpenzoi deri në 1 milion euro për të pasur kartonin e shqiptarit.Roberto Mançini ishte i fiksuar pas talentit, saqë shihte tek ai një lojtar të aftë që mund të bëhej edhe pasuesi i kapitenit zikaltër, Mauro Ikardit. Një talent që, ashtu si Baloteli, pati shpërthimin e tij. U dha zikaltërve të vegjël kupën e Italisë, pikërisht kundër Juventusit.
Pak minuta jo vetëm me skuadrën e të rinjve, por edhe me Interin në Serinë A bënë që Manaj të fitonte edhe ftesën në Kombëtaren shqiptare. Vetëm 12 sekonda mjaftuan që sulmuesi të shënonte kundër Kosovës në debutim. Djaloshi mori mbi vete atributet e një talenti dhe një lojtari që premtonte shumë. Mirëpo, aty nisi pikërisht rënia.Huazimi te Peskara, nën drejtimin e Odos, u shoqëruan me mungesën e golave dhe më pas kulmuan me një zënkë të tij me një nga lojtarët që bënë trajnerin Odo ta përjashtonte nga skuadra. Jo vetëm kaq, por fakti që kjo pasoi zënkën që Manaj pati me De Biazin, e bënë atë që të krahasohej edhe një herë me Balotelin, por këtë herë për anën e errët të italianit.Gjysma e dytë e sezonit e gjeti me një ekip si Piza, por karakteri i tij i ashpër bëri që edhe me Gatuzon të kishte një përplasje që e detyroi të përjashtohej për dy ndeshje.Vlera e transferimit të tij tek Interi kushtoi rreth 1 milion euro dhe nga qershori i vitit 2015 deri më tani Manaj ka shënuar vetëm shtatë gola. Shqiptari ka realizuar nga dy gola për Peskarën dhe Pizën dhe po kaq me fanellën e kombëtares Shpresa. Sulmuesi ka realizuar një gol në debutimin e tij me Kombëtaren A, në miqësoren kundër Kosovës. Vërtet pak për një talent, për të cilin janë shpenzuar 1 milion euro.