Italia, Rusia dhe Turqia janë tri shtetet kryesore me portet e të cilave shkëmben më shumë mallra porti i Durrësit. Në 6 muajt e parë të këtij viti, drejt/nga portet e Italisë kanë mbërritur/nisur me anije 152 mijë tonë mallra gjithsej, ndërsa nga Rusia 130 mijë tonë dhe Turqia rreth 89 mijë tonë.
Ndërkaq, sasia më e madhe e importeve, 130 mijë tonë, në periudhën janar-qershor 2017, ka mbërritur nga portet e Rusisë, ndërsa mallrat për eksport, 105 mijë tonë, i janë drejtuar Italisë.
Mbërritja e importeve kryhet sipas renditjes nga Rusia, Turqia, Italia, Greqia, Egjypti, Libia, Spanja, Gjermania, etj. Eksportet shkojnë drejt vendeve si Italia, Malta, Kina dhe Franca.
Në listën e porteve me të cilat janë shkëmbyer mallra për import dhe eksport në këto 6 muaj janë edhe vende si SHBA, Kroaci, Tunizi, Belgjikë, Ukrainë, etj.
Në 6-mujorin e parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar afro 1 milion e 800 mijë tonë mallra të ndryshme, ose mbi 123 mijë tonë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Përveç porteve të Evropës dhe Azisë, mallra të ndryshme kanë mbërritur apo janë nisur edhe në portet e kontinenteve te Amerikës dhe Afrikës.