Neymar u rikthye në Barcelonë, por mesa duket për të bërë gati valixhet. Mëngjesin e sotëm ai nuk ka dalë në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit, e ky fakt u pasqyrua menjëherë nga mediet spanjolle, por që mori reagimin e menjëhershëm të klubit katalanas, që njoftoi se ishte trajneri Valverde që i kishte dhënë leje brazilianit për të zgjidhur të ardhmen e tij.“O Ney” shkoi me vonesë në qendrën stërvitore të ekipit blaugrana, për t’iu komunikuar shokëve të skuadrës dhe stafit teknik dëshirën për t’u transferuar te Paris SG, duke e bërë thuajse zyrtare atë që përflitet javëve të fundit në mediet sportive botërore.Megjithatë, edhe pasqyrimi mediatik i kësaj lëvizjeje të bujshme ka dy anë të medaljes. Nëse “L’Equipe” duket absolutisht e bindur për përfundimin pozitiv të tratativës, pra për kalimin e Neymar te PSG, në Katalunjë mediat duket se mbajnë qëndrime kontroverse. Dhe me lamtumirën e brazilianit duket se jo të gjithë bien dakord.

“El Mundo Deportivo” njoftoi komunikatën zyrtare të divorcit, që Neymar u kishte bërë shokëve të skuadrës, e që flet për një kalim të mundshëm të brazilianit nën kullën “Eiffel” brenda kësaj të premteje. Kjo media ka theksuar gjithashtu se situata brenda ekipit e ka bërë thuajse të pamundur qëndrimin e tij me katalanasit. Ndërkohë, e përditshmja tjetër “Sport” publikon një lajm ekskluziv të sajin disi tronditës.Edhe nëse PSG-ja do të paguante klauzolën prej 222 milionë eurosh, La Liga (Shoqata e klubeve profesioniste spanjolle) nuk do të pranonte transfertën dhe nuk do t’i mundësonte ndryshimin e fanellës brazilianit Neymar. Në bazë të këtij vendimi duket se qëndron çështja e “Fair Play”-t financiar dhe sitatata kontraktuale e vet sulmuesit brazilian.