Në mjediset e Bibliotekës së Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës u promovua libri  “Zhvillime urbane: tradita dhe risi Rasti i Kamzës”, i studiuesit Dr. Alfred Halilaj.

Në këtë ngjarje morën pjesë Prof. Dr. Afërdita Onuzi, Dekania e Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj, Prof. Dr. Lekë Sokoli, Drejtori i Qendrës për Edukim në Vazhdim, Dr. Ilir Sallata, pedagogë dhe studentë.

Me një përvojë 50-vjeçare si etnologe dhe antropologe, profesoreshë Onuzi përgëzoi Këshillin e Botimeve në UAMD për mbështetjen e studimeve të tilla.

“Për nga puna e jashtëzakonshme në terren, si dhe parashtrimi dhe analiza e problemeve sociale, mund të them pa drojë se ky është studimi i parë i përmasave të tilla në antropologjinë kulturore në Shqipëri”, vlerësoi ajo.

Për dekanen e Fakultetit të Edukimit në UAMD, Prof. As. Dr. Abazaj, studimi i z. Halilaj shënon një arritje edhe për Fakultetin. “Vlerësoj faktin që në libër i është kushtuar vëmendje dhe edukimit. Studime të tilla sjellin vlerë dhe shtrojnë udhën edhe për studiues të tjerë”, u shpreh ajo.

Prof. Lekë Sokoli, Drejtor i Institutit të Sociologjisë, e vlerësoi lart studimin. “Ky libër mëton të krijojë një traditë në studimet në këtë lëmë. Tjetërsimi i njeriut pas lëvizjeve të mëdha demografike të post-viteve ’90 duhet të shërbejë si një pikë e mërfilltë referimi për studimet sociale”, theksoi ai.

Vetë autori, Dr. Alfred Halilaj falenderoi Universitetin dhe bashkëpunëtorët për mbështjen në botimin e këtij libri dhe u shpreh se “studimi nuk është fundor, por një punë që synon të çelë diskutime shkencore për problematikat që prekin shoqërinë shqiptare”.

“Zhvillime urbane: tradita dhe risi Rasti i Kamzës” është botuar nga Shtëpia Botuese “Pika pa sipërfaqe” dhe merr në analizë përvijimin e lidhjeve farefisnore të banorëve të ardhur në zonën e Kamzës.

Autori duke marrë pjesë në jetën e përditshme në komunitet, përmes punës etnografike në terren, ka shqyrtuar dhe prurë objektivisht gjithë dinamikat sociale që prekin qytetarët.