Teuta ka luajtur miqësoren tjetër ku ka barazuar në shifrat 2-2 me skuadrën e Seria D, Vis Pesaro. Në këtë ndeshje, trajneri Magani ka aktivizuar atë që e konsideron si formacionin bazë për ndeshjet e radhës dhe lojtarët e ardhur në merkato. Për durrsakët kanë shënuar A. Beqaj dhe Dediç, ndërkohë që rastet për shënim për skuadrën durrsake kanë qenë të shumta, por ka munguar konkretizimi para portës kundërshtare. Gjithsesi, në përfundim të ndeshjes, trajneri Magani ka mbetur i kënaqur nga ajo që lojtarët e tij kanë treguar në fushën e lojës.
Pak ditë më parë, durrsakët fituan në miqësoren ndaj Riconës, në shifrat 2-0, por gjendja e rënduar fizike e lojtarëve ka ndikuar në paraqitjen e tyre. Deri në fund të qëndrimit të tyre në Itali, durrsakët parashikohet të zhvillojnë edhe disa ndeshje të tjera miqësore me kundërshtarë të një niveli më të lartë. Sa i takon seancave stërvitore, ato janë duke vazhduar me ritëm të lartë dhe lojtarët janë duke marrë të gjitha ngarkesat që i nevojiten për të përballuar një kampionat të gjatë dhe të vështirë. Gjithashtu, drejtuesit janë duke punuar edhe në drejtim të merkatos, për të afruar futbollistë cilësorë që do të bëjnë diferencën në sezonin e ri, ku objektivat e durrsakëve do të jenë të ndryshme nga ato të sezonit të shkuar.