Dhjetë afrime dhe 16 largime deri më tani. Teuta është rinovuar tërësisht pas përfundimit të sezonit 2016-2017, teksa klubi ka të tjera ambicie, për një skuadër që nuk do të jetë thjesht në mesin e tabelës, por të synojë trofe dhe minimalisht të marrë pjesë në Kupat e Europës.
Presidenti Edmond Hasanbelliu, bashkë me ortakun e tij, Ardian Bardhi, po punojnë në këto ditë vere për një Teutë bindëse, e cila do të jetë e denjë për vendet e para. Klubi ka vijuar me politikën e afrimit të lojtarëve të rinj në moshë, teksa Arbër Beqaj dhe Esin Hakaj blindojnë krahët e mbrojtjes. Gjithashtu afrimi i Ante Hrkaç, Albi Dosti, Ardit Shehaj, Anel Dediç dhe Semin Haxhibuliç ka shtuar cilësinë në grup, duke kompesuar në farë mënyrë, largimet e rëndësishme si Kotobelli, R.Hoxha, Progni etj. Megjithatë, drejtuesit nuk janë ende të kënaqur, pasi sipas tyre, goditjet e mëdha do të jenë në sulm. Nuk bëhet fjalë vetëm për një lojtar, por dy të tillë.“Do të bëjmë një sakrificë financiare për të sjellë një qendërsulmues tipik dhe një sulmues krahu me karakteristikat e Prognit. Jemi në bisedime të vazhdueshme me dy sulmues të huaj, por për momentin nuk mund të themi se kemi arritur një marrëveshje. Duam sulmues që vërtet bëjnë diferencën, prandaj dhe s’po nxitohemi”, konfirmoi dje presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.Kreu i klubit u rezervua për të dhënë detaje. Megjithatë, gazeta mëson se prej javësh drejtuesit janë futur në bisedime me sulmuesin nga Guniea-Bisau, Ze Turbo, i cili është në pronësi të Interit. Qendërsulmuesi 20-vjeçar ka qenë i huazuar në sezonin e fundit te Marbela në Spanjë. Tashmë është në dorë të klubit zikaltër për të dhënë sërish në formë huazimi lojtarin. Te Teuta shpresojnë që Ze Turbo të pranojë ofertën.