Kthehet në “show” të mirëfilltë zgjedhja e trajnerit të ri te skuadra e Kukësit. Presidenti Safet Gjici, pasi ka vendosur të mos konfirmojë Ernest Gjokën dhe ka parë t’i largohet Skënder Gega, kërkon një emër që të bëjë bujë në drejtimin e ekipit të tij.

Ai fillimisht ka biseduar me serbin Mlladen Milinkoviç, por së fundmi, i ka lindur një ide e re që padyshim do të shënonte një moment të rëndësishëm në historinë e këtij klubi, nëse do të bëhet realitet. “Panorama Sport” ka mësuar se Gjici ëndërron që të bëjë trajner ish-kapitenin e përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, i cili nuk e ka fshehur që ka si synim në të ardhmen të fillojë një karrierë të re si trajner.

“Po, jemi në bisedime me Lorik Canën. Kaq mund të them”, – ka thënë Gjici duke konfirmuar zërat që kanë qarkulluar sot.

Tani pritet të mësohet nëse është thjesht një dëshirë e presidentit të Kukësit, apo edhe Cana ka interes konkret për t’iu bashkuar kampionëve të Shqipërisë dhe për të marrë drejtimin e tyre.