Një lokal në Durrës është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit. Zjarri u lokalizua nga banorët në lagjen numër 13 plazh, në një bar në pronësi të shtetasit Xh. I. 36 vjec.
Menjëherë drejt vendngjarjes mbërritën dy zjarrfikëse, me anë të të cilave u bë i mundur neutralizimi i flakëve dhe vënia nën kontroll e situatës.
Si pasojë e zjarrit, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht jo në njerëz, pavarësisht se objekti ndodhej në një zonë mjaft të populluar duke rrezikuar dhe ambiente të tjera.
Fatmir Tare, oficer inspektimi, ekspert zjarri në Drejtorinë e Zjarrfikëseve në Durrës, thotë se në sajë të ndërhyrjes së shpejtë, u shmang përhapja e flakëve më tej në pallat.
Nga veprimet e para hetimore policia dyshon se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike te frigoriferi, duke bërë që flakët të përhapen edhe në ambiente të tjera të lokalit.
Ndërkohë grupi hetimor po vijon me hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.





