Policia e Tiranës ka arrestuar një 55-vjeçar i cili qarkullonte me kallashnikov në makinë. Në pranga ra Ramazan Tanushi, i cili u kap në dalje të kryeqytetit.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 6, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në makinë, menjëherë kanë organizuar punën për arrestimin e tij dhe bllokimin e armës së zjarrit. Si rezultat i ndërhyrjes në kohë, në afërsi të “Casa Italias”, shërbimet e Policisë kanë bllokuar automjetin tip “Ford”, që drejtohej nga shtetasi Ramazan Tanushi”, sqaron policia.

Nga kontrolli i ushtruar në bagazhin e mjetit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Kallashnikov dhe një krehër.

Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja e armve dhe municionit luftarak”.