Nesër në mbrëmje në Durrës do të nisë Edicioni XII i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, (Chamber Fest Durrës), që organizohet nga violinistja e njohur durrsake Nevila Kalaja.

Shtatë koncertet e parashikuara në periudhën 29 qershor – 12 korrik do të zhvillohen në mjediset e Muzeut Arkeologjik të qytetit të Durrësit.

Instrumentistëve shqiptarë të ftuar në këtë edicion do t’i bashkohen edhe artistë nga Italia, Greqia, Austria dhe Gjermania.

Vend të veçantë do të zërë krijimtaria e kompozitorëve të njohur Prenk Jakova (1917-1969) dhe Çesk Zadeja (1927-1997), që do të përkujtohen në përvjetorët e lindjes.

Festivali i Muzikës së Dhomës do të nisë nesër me koncertin e dy artistëve nga Italia, Antonio Meriçi në violonçel dhe Sebastiano Mesaglio në piano.

G.K.