*Partia demokratike humbet në të gjithë bastionet e saj me rezultat të thellë. Zhgënjim edhe te LSI-a!

Kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe 39 kutitë e fundit, nga 460 në nivel qarku, PS rezulton fituese me 49% të totalit të votave, PD me 28% e LSI me 15 % e përkthyer në mandate 8 për PS-në, 4 për PD-në e 2 për LSI-në.

Rezultati lë jashtë parlamentit Agron Dukën, i pesti në listën e PD-së për Durrësin. Për demokratët, humbja e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 kalon çdo parashikim. Në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, 7 deputetë të majtë (6 nga PS dhe 1 nga LSI) e 6 të djathtë (5 nga PD e një i PR-së Agron Duka), u dërguan në parlament dhe ky rezultat u konsiderua shumë i rëndë atë kohë për PD-në.

PS fitoi 61 mijë vota në vitin 2013, ndërsa PD fitoi 53 mijë vota. 10 mijë vota fitoi Partia Republikane që përfaqësohej nga Agron Duka, i cili kishte votuesit e tij.

Agron Duka do të dorëhiqet

Agron Duka është kontaktuar në mbrëmje dhe në një lidhje telefonike, tha se nuk e priste këtë rezultat.

“Nuk do të merrem më me politikë, isha i vetmi që bëra fushatë për PD-në në Durrës. Tani do të merrem me gjëra të tjera, e kam shumë gjëra për të bërë”, ka thënë Duka.

Koka dhe kandidatët e LSI-së të zhgënjyer

Pranë KZAZ-ve janë parë Lefter Koka e kandidatët e LSI-së të cilët kanë mbetur mjaft të zhgënjyer nga rezultatet. Pritshmëritë kanë qenë dukshëm më të larta për ta.

Kandidatët e PD-së 'bëhen helm'

Oerd Bylykbashki i PD-së e Florion Mima po kështu kanë parë procesin e numërimit.

Florion Mima, ish-zëvendësministër i Financave ka qëndruar gjatë e pa u larguar nga KZAZ-ja 23.

“Nuk më del asnjë pikë gjak. Më është kthyer në helm i gjithi. Nuk është aspak një rezultat që mund të mendohej nga demokratët”, pohoi Mima.

K.H.