Lefter Koka kreu i LSI-së në Durrës, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali i tij Arbi, votuan sot në qendrën e votimit 1489/1, në shkollën “Gjergj Kastrioti” lagjja numër 1.

Koka, pas votimit, tha se deri në këto moment procesi i votimit është normal.

“Qytetarët durrsakë janë të vëmendshëm edhe kur shfaqja është qesharake. Ata do dinë të votojnë e do të dinë të bëjnë zgjedhjet e tyre. Nesër Shqipëria do të jetë një tjetër. Ju uroj Fiter Bajramin”.

Kreu i LSI-së tha se një pjesë e PS-së për të mbajtur pushtetin absolut po sillet me shumë egërsi vetëm për të mbajtur timonin.

“Nuk e kisha menduar kurrë që një pjesë e anëtarësisë socialiste do të paraqitej me këtë egërsi dhe me këtë sjellje. Të qeverisësh një vend duhet të funksionojnë të gjithë ingranazhet dhe nëse një nuk funksionon, mbetet jo i suksesshëm”, u shpreh Koka pas votimit.