Një tjetër denoncim për blerje votash, këtë radhë në Vlorë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Vendore e Policisë Vlorë bënë me dije se është konstatuar një rast në këtë qytet dhe ka nisur procedimi për tre persona.

Policia e qytetit bregdetar njofton se “u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në ngarkim të shtetasve me iniciale A. A.; N. H.; dhe G.O., sepse kanë kryer veprime me shtetas të ndryshëm, për blerjen e votave për subjekte elektorale”.

Lidhur me shit-blerjen e votës, parlamenti miratoi pak kohë më parë edhe ndryshimet në kodin penal.

Sipas ndryshimeve të reja në ligj, shitblerja e votës dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale, do të jetë e paamnistueshme.