Vangjush Dako, së bashku me kandidaten për deputete, Klodiana Spahiu zhvilluan takimin elektoral të radhës me banorët e lagjes numër 12 dhe 16.

Në fjalën e tij, Dako tha se me mbështetjen e qytetarëve, fitorja jo vetëm që është e sigurt por do të jetë edhe e thellë.

“Fitorja në këtë lagje është e sigurt dhe duhet të jetë sa më e thellë. Kërkojmë votë për Edi Ramën, votë për numrin 2, votë për Partinë Socialiste sepse është votë për të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, është votë për gjeneratën e re”, u shpreh Dako.

Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se me mbështetjen e qeverisë “Rama” do të vazhdojnë projektet për transformimin e Durrësit.

“Votë për Edi Ramën do të thotë mbështetje për Bashkinë e Durrësit. Katër vite me Edi Ramën kemi bërë punë sa për 25 vite të marra së bashku. Katër vite të tjera për Edi Ramën do të thotë të vazhdojmë transformimin e Durrësit, të vazhdojmë që kjo zona juaj, ashtu siç ju kemi premtuar, t’i bëjmë të gjitha fasadat e pallateve, por të gjitha këto projekte që ne kemi ndërmend dhe që ju i meritoni duan mbështetje financiare dhe këtë mbështetje e jep vetëm qeveria e Edi Ramës”, deklaroi Dako.

Ndërkohë, kandidatja Spahiu u shpreh se me mbështetjen e qytetarëve Partia Socialiste do të marrë 9 deputetë në qarkun e Durrësit.

“Me këtë mbështetje që kemi sot nga kjo lagje jemi të bindur që fitorja do të jetë e thellë, do të marrim jo 8 por 9 deputetë për qarkun e Durrësit. Për këtë jemi të sigurt sepse shikojmë mbështetje kudo, shikojmë mbështetje në të gjithë Shqipërinë, shikojmë mbështetje në çdo njësi administrative të qarkut të Durrësit”, theksoi Spahiu.