Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, ka premtuar se çështja e parë që do të zgjidhë nëse do të fitojë zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, do të jetë e drejta e pronësisë.

Gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme me banorë të Kamzës e Babrrusë, Blushi akuzoi qeverinë se deri më tani nuk ka dashur ta zgjidhë çështjen e pronave, ndërsa theksoi se pengesë për këtë çështje është korrupsioni. “Nuk ta japin pronën, këta i kanë marrë peng të gjithë pronat e Shqipërisë. Gjëja e parë që do të bëjmë, se unë kam votuar kundër ligjit të pronave që e bënë këta para dy vjetësh, për të zgjidhur problemin e pronave do t'i jap fund atij 7501-shit. Nuk është shumë histori e lehtë ajo, por nëse ka vullnet bëhet. Këta nuk e kanë zgjidhur problemin e pronave për shkak të korrupsionit, nuk duan se i marrin pronat vetë. Ne duam ta zgjidhim këtë punë dhe u premtoj të gjithë pronarëve që do të merrem vetëm me punën e pronave”, nënvizoi ai.

Nga ana tjetër, Blushi i tha qytetarëve të Babrrusë se Edi Rama është një tepsixhi i cili meriton të shkarkohet më 25 qershor. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Pogradecit Blushi theksoi se nuk do të ketë asnjë pagesë nën minimumin jetik prej 17 mijë lekësh dhe tarifa zero për studimet e larta.