Shtatë persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Tiranës gjatë një operacioni të koduar “Kredia”, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Ata akuzohen se duke përdorur dokumentacione të dyshuara të falsifikuara, kanë përfituar kredi konsumatore në shuma të ndryshme pranë një Shoqërie Financiare që ofron kredi.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit:

Arjel Sulejmanaj, 46 vjeç, banues në Tiranë

Elsad Zhabjaku, 23 vjeç, banues në Tiranë

Riselda Hoxha, 32 vjeçe, banuese në Tiranë

Albert Shirka, 54 vjeç, banues në Tiranë

Ertgrent Boshti, 26 vjeç, banues në Tiranë

Luan Dana, 56 vjeç, banues në Tiranë

Sonila Berberi, 26 vjeçe, banuese në Tiranë

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit R. H.

Sipas policisë, kjo skemë mashtrimi është dokumentuar me prova ligjore se ka ndodhur në kohë të ndryshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

– Dy vula të falsifikuara me logon “Instituti i sigurimeve shoqërore Tiranë”

– 8 vërtetime të institucionit të sigurimeve shoqërore të dyshuara të falsifikuara

– 6 celularë të markave të ndryshme

– Një automjet tip “Fiat”

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipër përmendur, për veprat penale, “Falsifikim i dokumenteve, i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Mashtrim me kredi” i kryer në bashkëpunim.