Pjesëtarë të komandës dhe ekuipazhit së anijes “PALINURO” të kryesuar nga kapiteni i rangut II Giusseppe Valentini, kanë zhvilluar një vizitë në zyrat e Prefektit të Qarkut të Durrësit Emiljan Jani, i cili ka shprehur kënaqësinë e kësaj vizite nga detarë të një vendi të lashtë e me tradita detarie me të cilët na lidh një miqësi e hershme.
Gjatë takimit iu dha rëndësi bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe u fol për resurset e shumta ekonomike dhe turistike të Durrësit si dhe rëndësia e bashkëpunimit shumëplanësh në këtë fushë. Po ashtu është cekur edhe rëndësisa strategjike e rajonit bregdetar të Durrësit ne kuadër të NATO-s.
Në takim u diskutua mbi planin e bashkëpunimit mes Forcave të të dy vendeve dhe veçanërisht në fushat si arsimimi e trajnimi i personelit detar të grupeve të bordingut, zhvillimin e kurseve dhe trajnimeve në fushën e shërbimit hidrografik, pjesëmarrjen e vendit tonë në stërvitjet që zhvillohen në Itali specifikisht stërvitjet kundër ndotjes detare, takime dypalëshe në rang ekspertësh për mundësinë e shkëmbimit të informacionit mbi situatën detare etj.
U diskutua gjithashtu edhe rritja e bashkëpunimit në interes të përmirësimit të sinjalistikës detare. Me një ‘moshë’ 83-vjeçare, anija “Palinuro” ka filluar shërbimin në forcat detare të vendit fqinj në vitin 1955. Ajo ka një gjatësi prej 69 metrash dhe arrin shpejtësinë 8 milje/orë. Anija shkollë “Palinuro” erdhi ne Durrës nga porti i Tarantos (Italia jugore) për të vijuar më pas drejt Kotorit (Mali i Zi) dhe Ankonës.
K.H.