Anija-shkollë e Forcave Detare Italiane “Palinuro", do të zhvillojë një vizitë 5-ditore në Durrës. Anija velierë pritet të ankorohet nesër në një nga kalatat e portit më të madh të vendit tonë.

Autoriti Portual i Durrësit ka marrë masa për përcaktimin e bankinës dhe sigurinë e zonës, në bashkëpunim me personelin e Forcës Detare Shqiptare.

Gjatë qëndrimit në Durrës janë parashikuar një sërë veprimtarish të përbashkëta.

Me një 'moshë' 83-vjeçare, anija “Palinuro” ka filluar shërbimin në forcat detare të vendit fqinj në vitin 1955.

Ajo ka një gjatësi prej 69 metrash dhe arrin shpejtësinë 8 milje/orë. Anija shkollë “Palinuro” do të lundrojë nga porti i Tarantos (Italia jugore) drejt Durrësit, për të vijuar më pas drejt Kotorit (Mali i Zi) dhe Ankonës.