Kishte menduar të kalonte kohën duke luajtur poker, por mbeti pa “kokërr leku”.

Kështu i ka ndodhur një 28-vjeçari nga Elbasani, i cili ka deklaruar në policinë e Durrësit se ndërsa po luante me letra me disa persona të paidentifikuar, tek stacioni i trenit, ka konstatuar se nuk kishte më një sasi eurosh, që mbante me vete.

Ai ka rrëfyer se nuk i njihte personat me të cilët po luante dhe, sipas të riut, eurot i janë marrë përmes mashtrimit.

Policia e Durrësit ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, që akuzohen për veprën penale “Mashtrimi”.