Gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, 10 për qind e mallrave që janë përpunuar në Terminalin Lindor dhe në atë të Mallrave Gjenerale në portin e Durrësit i janë drejtuar Republikës së Kosovës, ose anijet janë ngarkuar me mallra që kanë mbërritur nga Kosova.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, brenda pesë muajve të parë të këtij viti në këto dy Terminale janë përpunuar afro 608 mijë tonë mallra gjithsej.
Duke iu referuar të dhënave, në Terminalin lindor një anije e specializuar është ngarkuar me afro 18.6 mijë tonë mineral zinku, që vinte nga Trepça për të vijuar drejt porteve të vendeve perëndimore.
10 për qind e mallrave të përpunuara në Terminalin e Mallrave Gjenerale (i njohur si Terminali Perëndimor), ose afro 42 mijë tonë, i përkasin tranziteve drejt Kosovës. Melamina, xhamat, çimento, llamarina dhe superfosfati janë mallrat e importit që kanë vijuar udhëtimin me automjete drejt tregut të Kosovës.
Megjithëse nuk kanë dalë rezultatet e Terminaleve të Kontejnerëve dhe të Udhëtarëve shifrat e eksporteve dhe importeve nga/drejt Kosovës janë më të larta se sa në 5-mujorin e vitit 2016.