Në periudhën janar – maj të këtij viti, në Terminalin Lindor të portit të Durrësit një anije transporti është ankoruar 10 herë radhazi, duke ngarkuar çdo herë mesatarisht 10 mijë tonë çimento për eksport.

Nga të dhënat operative të Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se anija “Sirios Cement 1” ka mbërritur për herë të parë këtë vit më 24 janar dhe ka ngarkuar një sasi prej 7500 tonë çimento. Nga të njëjtat burime mësohet se deri më 27 maj 2017 kjo anije është ankoruar gjithsej 10 herë në Terminalin Lindor duke ngarkuar një sasi të përgjithshme prej rreth 98.500 tonë çimento.

Materiali i prodhuar në fabrikat pranë Fushë-Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit, i është drejtuar më pas porteve të Margheras (Itali) dhe të Maltës. Kjo anije ndodhet përsëri në radën portuale të Durrësit në pritje për t’u ngarkuar me çimento për eksport.

Anija “Sirios Cement 1” me gjatësi 139 metra ka ngarkuar 5 herë nga 12.500 tonë çimento, ndërsa për pesë lundrimet e tjera ka ngarkuar sasi nga 5 mijë deri në 12.444 tonë.