Dega e shoqatës “Tomorri” në Durrës ka zhvilluar një aktivitet për 70-vjetorin e lindjes së gazetarit dhe publicistit Zylyftar Hoxha. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë kolegë e bashkëpunëtorë të gazetarit Hoxha, intelektualë, personalitete dhe të ftuar nga fusha e artit dhe gazetarisë.

Kryetari i degës së shoqatës “Tomorri” në Durrës, Hajri Nuhu, në fjalën e hapjes është shprehur se Zylyftar Hoxha është një nga pionierët e gazetarisë që në vitet e para pas hapjes së televizionit të vetëm në vend, në të cilin punoi për shumë vite si telekronist.

Në këtë aktivitet është promovuar edhe libri për publicistikën e Zylyftar Hoxhës “Drithërimat e fjalës”, i kritikut Mihal Gjergji. Më pas është shfaqur edhe dokumentari me titull “Zylyftar Hoxha, ky punëtor meditës i medies”.

Në përfundim, Zylyftar Hoxha ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe punën e përbashkët të realizuar përgjatë shumë viteve në gazetari dhe publicistikë.

K.H.