Një ditë pas vizitës blic në Durrës të ministrit të brendshëm Dritan Demiraj dhe të kreut të policisë së shtetit, Haki Çako në drejtorinë vendore të policisë, prefekti Emiljano Jani mbledh Task-Forcën për të intensifikuar luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të tyre.

Prefekti Emiljan Jani deklaroi krijimin e Task-Forcës rajonale, me pjesëmarrje te Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe organizmave të tjera deri te Shërbimi Social Shteteror.

Prefekti Jani, gjatë fjalës së tij, ka komunikuar bazën ligjore të kësaj Task-Force si dhe një plan të detajuar veprimi të organizmave të saja në periudhën kohore 2017-2020.

Jani ka bërë me dije se kjo Task-Forcë vendore ka për detyrë që të jetë rigoroze në zbatim të planit të përgjithshëm kombëtar në operacionet e gjera dhe të kombinuara për eleminimin që në gjenezë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Në takim ka folur në detaje për punën e policisë dhe detyrat që ajo ka drejtori i Policisë së qarkut Durrës, Alfred Çepe. Për policinë e shtetit detyrë parësore është heqja e njollave të zeza të Durrësit nga harta e kultivuesve të drogës. 

K.H.