Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka liruar 10 nga 21 të arrestuarit me kërkesë të Prokurorisë dy muaj më parë si të përfshirë në trafikun e 10.2 ton drogë nga Durrësi me kamion drejt Italisë. Në mesin e personave të liruar janë agjentë doganorë, punonjës të doganës dhe efektivë të policisë me detyrën e kontrollorëve. 

Ndërkohë, në qeli për këtë akuzë raportohet se kanë mbetur vetëm 5 persona pasi të tjerët kanë përfituar ndryshim mase nga arrest me burg në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike.

Sipas Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, lirimi i tyre është vendosur pasi s'ka prova që i lidhin me trafikun e drogës.

Doganierët e pikës kufitare Qafë-Thanë e Durrës, së bashku me kreun e policisë kufitare në portin e Durrësit, u arrestuan në prill të këtij viti.